Balfin Austria nis një tjetër projekt ekskluziv, kësaj here ne Vjenë

Balfin Austria ka nisur të zhvillojë një projekt të ri në Austri, konkretisht ndërtimin e dy objekteve për banim, që do të ndërtohen në kufirin midis distriktit 18 dhe 19, të cilat janë dy nga zonat më ekskluzive të Vjenës.

Secili nga objektet do të jetë 5-katësh dhe konfigurimet e planimetrive do te jene me 1 ose 2 hyrje për kat, në varësi të kërkesës së tregut.

Projekti parashikon një sipërfaqe banimi neto prej rreth 1050 m², mendohet të përfundojë në vitin 2022 dhe vlera e investimit është rreth 8 milionë euro.

Ky është projekti i dytë i Balfin Austria në shtetin perëndimor dhe i pari në Vjenë. Që prej tetorit të vitit 2018, Grupi ka filluar një projekt rezidencial i cili tashmë është drejt përfundimit. Kompleksi ndodhet në zonën e Altmünster në Austri, e cila është një zonë mjaft e njohur turistike, pranë liqenit Traunsee.

Projektet në vazhdim do të jenë potencialisht të një tipologjie të njëjtë.

Balfin Austria është kompani e Grupit Balfin, e cila është themeluar ne Prill të vitit 2018 dhe ushtron aktivitetin e saj në zhvillimin e pasurive të paluajtshme në Austri.

Kompania fokusohet tek ndërtimet dhe investimet e mëdha në ndërtim, si zhvillimi i zonave rezidenciale për banim, vila dhe resorte turistike.