Balfin dhe “Luarasi”, marrëveshje bashkëpunimi për praktikat profesionale të studentëve

Grupi Balfin dhe Universiteti Luarasi nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi në Tiranë.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, studentët e këtij universiteti do të kenë mundësinë që të kryejnë praktikat profesionale pranë kompanive të shumta të Grupit Balfin, në mënyrë që të aftësohen dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës, pas përfundimit të ciklit të tyre të studimit, çka është edhe një mundësi shumë e mirë punësimi në të ardhmen për ta.

Drejtoresha Ekzekutive e Grupit Balfin znj. Edlira Muka dhe rektori i Universitetit Luarasi, z. Ethem Ruka, nënshkruan marrëveshjen për palët që përfaqësojnë në mjediset e institucionit të arsimit të lartë, ku dhe shprehën respektin reciprok dhe vullnetin e mirë që ky bashkëpunim të mos ndalet vetëm në fushën e praktikave të punës, por edhe në shkëmbimin e përvojave nga ana e përfaqësuesve të Grupit me studentët e Luarasit, në mënyrë të vazhdueshme.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjithë përvojën e kompanive të Grupit tonë, në mënyrë që studentët tuaj njohuritë që marrin në teori, t’i përkthejnë në një praktikë efikase profesionale, që do t’u hapë dyert e karrierës për të ardhmen” – tha Drejtoresha Ekzekutive e Grupit Balfin, znj. Edlira Muka.

“E vlerësojmë shumë marrëveshjen me ju, për të përgatitur një gjeneratë profesioniste sa më të mirë, brenda kushteve dhe mundësive që keni” – u shpreh rektori i Universitetit Luarasi, z. Ethem Ruka.

Grupi Balfin ka mjaft vite që u ofron mundësinë e praktikës profesionale mjaft studentëve, qoftë nga institucionet e arsimit të lartë të sektorit privat, ashtu edhe të atij publik.

Mjafton të përmendim marrëveshjet që ka Grupi me Universitete si “TBU”, “UET”, Universiteti i Tiranës, e kështu me radhë.