Projekti i BE për tregun e punës/ BALFIN në UET: Një lajm i mirë për burimet njerëzore

Grupi BALFIN ka marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së certifikatave “Kompetenca e lidhur me shërbimin” në kuadër të projektit e-VIVA, zhvilluar nga Universiteti Europian i Tiranës. Ky projekt i financuar nga Bashkimi Europian, ka hyrë në vitin e tretë të zhvillimit.

Vlen të theksohet që është një nga projektet me vlerën më të madhe të fituar ndonjëherë nga universitetet shqiptare dhe fokusi i tij është evidentimi i kompetencave themelore që lidhen me sektorin e shërbimit.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e UET, me të pranishëm pedagogë, studentë pjesëmarrës në projekte, i ftuar ishte edhe Drejtori i Burimeve Njerëzore i Group, Elvin Nosi, i cili u njoh më nga afër me projektin dhe përpjekjen për të nxjerrë në tregun e punës kapacitete që dinë dhe njohin kompetencat e tyre.

Nosi e cilësoi këtë projekt si një mundësi të mirë për tregun e punës dhe për grupin ku bën pjesë, pasi sipas tij prej kohësh ndjehet mungesa e kësaj kompetence te të rinjtë. Ai tha më tej se projekte të tilla janë kyçe për bashkëpunimet shkolla- biznese-shtet.

“Një lajm shumë i mirë për tregun e punës, për bizneset dhe BALFIN Group, sepse prej kohësh e ndjejmë mungesën e kësaj lloj kompetence tek të rinjtë, apo punëkërkuesit në përgjithësi. Është një nga kompetencat kryesore, duke pasur parasysh prezencën e Grupit tonë në industrinë e shërbimeve dhe të hotelerisë. Kompetenca që ky projekt merr përsipër, është më e rëndësishmja, bazë, që bizneset aktualisht përpiqen ta zhvillojnë me resurset e tyre të brendshme, nëpërmjet trajnimeve që zhvillojnë. Kemi kuptuar që kjo nuk mjafton për të pasur një forcë punëtore në treg, e cila do të sigurojë në çdo moment rekrutime të suksesshme dhe punonjës të suksesshëm. Programe të tilla janë kyçe në trinomin biznese-shkolla-shtet, të cilët duhet të punojnë në mënyrë të koordinuar, që të bëjnë të mundur që sektori i shërbimeve, në përgjithësi dhe ai i turizmit e hotelerisë, të cilët shihen si nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike për vitet në vijim. Ky certifikim që ju po bëni, është shumë i nevojshëm në tregun e punës, prandaj shfrytëzoj rastin të ftoj studentët të shohin në ëeb-sajtet tona për të parë mundësitë që ofrohen”, u shpreh Nosi.

Zëvëndësrektorja për Zhvillimin Institucional dhe Studentët në UET, Prof. Dr. Ermira Qosja, e cilësoi e-VIVA një nga projektet që është më afër me tregun e punës.

“Projekti ka zgjedhur të fokusohet në një kompetencë, për të cilën të gjithë statistikat europiane e botërore tregojnë se është një nga kompetencat më të rëndësishme, por edhe një studim i bërë në vitin 2020 me studentët e masterit, tregonte që studentët që hyjnë në tregun e punës, kompetenca që kërkohet për ta është ajo që ka lidhje me shërbimin me klientët. E-Viva më tepër se një përqasje për të ndryshuar universitetet, është një përqasje për të ndryshuar mentalitetin në lidhje me procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Përtej faktit se prej vitesh KE orienton edukimin drejt kompetencave, ky projekt vendos në qendër studentin, i cili bëhet ndërveprues dhe vlerësues i mënyrës sesi ai e zhvillon kompetencën e tij. Për qartësim koncepti, kompetenca është një shumatore e tre komponentëve, aksesit, njohurisë dhe qëndrimit. E-Viva e zhvillon gjithë metodologjinë përmes disa metodave të mësimdhënies dhe mësim nxënies duke e përfshirë studentin dhe duke e vlerësuar ai sesi zhvillohet brenda një moduli apo lënde.

Që ky projekt të marrë jetë në tregun e punës, që aq shumë e kërkon këtë kompetencë, ka nevojë për një lidhje më të fortë të universitetit me qeverinë dhe bizneset. Diploma është e domosdoshme për të hyrë në tregun e punës por nuk mjafton. Nëse certifikata që shpërndajmë sot, do të fitonte një autorësi, do të kërkohej në tregun e punës, universitetet do të kishin mundësi bashkë me diplomën të ofronin të tilla certifikata, besoj se do të ishin pasaporta shumë të mira në tregun e punës”, deklaroi Qosja.